Çifti shqiptar Mynevere Karabollaj dhe Flonino Merkuri, 23, u gjetën të masakruar në banesë nga vajza e madhe e viktimës 37 vjeçare.

Ajo ishte më disko me miqtë e saj dhe kur u kthye në shtëpi u përball me skenën makabër që kishte shkaktuar i ati, Viron Karabollaj.

15-vjeçarja ka gjetur fillimisht trupin e pajetë të partnerit të mamasë së saj të shtrirë në tokë në garazh dhe ka kërkuar ndihmë.

Më pas, ka pritur jashtë shtëpisë për mbërritjen e karabinierëve. Pasi policia ka mbërritur në vendngjarje ka zbuluar trupat e viktimave dhe thikën me të cilën ish-bashkëshorti i 37-vjeçares kishte kryer vrasjen e dyfishtë.

40-vjeçari Viron Karabollaj goditi për vdekje ish-gruan e tij Mynevere Karabollaj dhe partnerin e saj të ri, Flonino Merkuri.

Më pas burri u vetëvar në magazinën e Veneta Ponteggi në Chirignago, kompania për të cilën punonte prej disa kohësh.

Trupi i tij i pajetë u gjet nga karabinierët. Mynevere Karabollaj, e njohur si Vera, prej disa vitesh jetonte me të shoqin në shtëpinë në Spinea, por dy vite më parë 40-vjeçari ishte larguar nga banesa.

Më pas, ajo kishte nisur bashkëjetesën me shqiptarin Flonino Merkuri.

Planifikimi i vrasjes

Sipas prokurorisë së Venecias, Viron Karabollaj e kishte planifikuar vrasjen me përpikmëri.

Fillimisht, priti që vajza e tyre e madhe, 15-vjeçe, të dilte nga shtëpia me miqtë për të shkuar në klub.

Më pas, ai dërgoi vajzën e tij më të vogël, 13-vjeçe, në banesën ku jetonte pas ndarjes nga bashkëshortja dhe shkoi në shtëpinë ku banonte ish-gruaja e tij dhe partneri i ri.

Ka dyshime se 40-vjeçari nuk kishte mundur të pranonte lidhjen e re të ish-gruas së tij me 23-vjeçarin.