Ngjarja e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në Elbasan, ku burri vrau me armë zjarri tip automatik gruan, ka si motiv xhelozinë.
Sipas Top Channel, pak minuta para se të ndodhte ngjarja 54-vjeçarja ka shkuar në Gjykatë për të kërkuar urdhër mbrojtjeje, por sapo ka dalë ajo është qëlluar me armë zjarri. Mësohet se çifti ka qenë në procedurë divorci.
Policia sqaron se rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, Koço Buzo, 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, Liljana Buzo, 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, Gëzim Toçila, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe Adriatik Kola, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.