Personi i parë që e transportoi Ylli Brahjan fillimisht drejt Spitalit të Lezhës, ishte Edison Lleshi. Banor i Milotit, i cili rrëfeu për grupin hetues, edhe këtë moment.

Edison Lleshi: Në kohën kur u qëllua me armë ndaj Klisman Preçit dhe Ylli Brahjas (Brahimit) unë kam qenë në Laç dhe isha duke udhëtuar në drejtim të qytetit të Milotit me makinën time tip AUDI A4. Kur kam arritur në Milot, pashë se në rrugën kryesore të qytetit ishin grumbulluar shumë njerëz dhe dallova se në rrugë ishte i shtrirë Ylli Brahja, që ne e njohim si Ylli Brahimi. Ishte i gjakosur dhe mezi fliste. Njerëzit që ishin aty më thanë çoje në spital se është në gjendje të rëndë. Unë bashkë me njerëzit që ishin aty e kemi vendosur në makinën time dhe jam nisur në drejtim të spitalit Lezhë ku e morën mjekët.