Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Komisariatin e Kamzës ku një 26-vjeçar i identifikuar si Arben Micit ka ndërruar jetë ka folur për mediat, vëllai i tij Xhevahir Micit.

Në fjalën e tij, Mici ka deklaruar se vëllain e kishin çuar në Komisariat që policia ta çonte në spitalin e burgut pasi spitali Psikiatrik nuk e pranonte më.

Më tej ai ka deklaruar se vëllain e kishin çuar për ta shëruar dhe jo për ta marrë të vdekur nga morgu i Komisariatit.

Ndër të tjera në fjalën e tij vëllai i viktimës pretendon se e gjithë ngjarja është shkak i neglizhencës nga ana e shtetit pasi nuk janë treguar të kujdesshëm me shëndetin e tij.

Erdhi polici dhe tha që ka vdekur vëllai. Si ka vdekur? Ne e çuam për t’u shëruar, jo për ta marrë të vdekur. Donim ta çonim në spital të burgut pasi nuk e mbajti spitali psikiatrik. Ai ishte me ilaçe. Atë natë nuk ishte mirë dhe deshëm ta kalonim në spital, ata e dërguan në Komisariatin e Kamzës si të ishte njeri normal dhe i kanë prerë urdhër arrest ndalimi, e kanë bërë të dhunshëm. Ai ishte në gjendje depresioni, bërtiste, thoshte ‘dëgjoj zëra’. Kishte tre vite që ishte në këtë gjendje. Policia nuk na ka dhënë asnjë sqarim. E kam marrë në morg të vdekur. Unë kërkoj drejtësi, dua shpjegim si ndodhi? Kjo është neglizhencë e shtetit, ai po të ishte kaluar në spital do ishte gjallë, pse e futën në Komisariat? Ne i kishim bërë letrat gati për ta dërguar në spitalin e burgut sepse te spitali psikiatrik nuk e mbanin më. Ata e arrestuan si një njeri normal, nuk mbahet ai aty në bodrum, por në vende të veçanta.
Kërkoj drejtësi sikur ti kishte ndodhur çdokujt, nuk është e vërtetë që ka dhunuar nënën, ai kishte probleme të depresionit, ishte i sëmurë, ne nuk i kemi dërguar asnjë çakmak në burg vëllait. Për rastin e tij shtetit nuk është interesuar fare.”- tha vëllai i viktimës Xhevahir Micit./ Gazeta Shqip