Corriere Della Sera ka publikuar së fundmi një plan për një tubacion që do të çojë ujë nga Shqipëria në një rajon të Italisë së jugut që vuan nga mungesa e ujit. Plani parashikon transportimin e ujit nga Gjirokastra në Pulia përmes 85 kilometra tubacione nënujore dhe 120 kilometra tubacione tokësore. Projekti vlerësohet të kushtojë rreth 1 miliard euro.
“Të bashkuar buzë detit Adriatik, përballë kemi Shqipërisë, një vend shumë të pasur me ujë. Ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme afërsie me Shqipërinë. Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit në mënyrë parandaluese. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz: të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, tha Sergio Fontana, presidenti i Confindustria Puglia, që përfaqëson kompanitë italiane në Shqipëri.
Nëse realizohet, projekti do të marrë katër vite për t’u ndërtuar, duke transportuar 150 milionë metra kub ujë në Pulia në një thellësi maksimale nënujore prej 850 metrash. Mësohet se presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano i ka shkruar së fundmi kryeministrit Edi Rama për të shprehur interesin për zbatimin e një projekti të tillë.
Sipas Corriere Della Sera, Italia do të përfitonte nga ky projekt pas krizës së thatësirës që ka prekur rajonin vitet e fundit.