TIRANË – Shkrimtarja Flutura Açka e sheh leximin e veprës “Prefekti” nga Teatri Kombëtar si një provokim dhe denigrim për familjen e Qazim Mulletit, por edhe për shqiptarët.

Duke komentuar rivënien në skenë të komedisë, nga emisioni OPEN, Açka u shpreh se ai duhej quajtur “perfekti” dhe jo “prefekti”, pasi dinte 8 gjuhë të huaja.

“Si fillim duhet të heqim nga gjykimi aktorët se janë thjesht interpretues. Po sillni në skenë një vepër që është stigmatizuar.Unë vetë e shikoj pak provokative dhe të tepruar, është një figurë interesante Qazim Mulleti, ne nuk kemi një libër për të , si mund të sjellim diçka që e denigron atë.

Ju nëse keni bërë retushime, duhet ti shoh ato, po megjithatë duhet ta nisnin që nga titulli, nga Prefekti, ta bënit perfekti, ky njeri dinte 8 gjuhë të huaja.

Ky njeri ka mbajtur flamurin në pavarësinë e Tiranës. Vënia në 28 në skenë, më duket pak ndarëse, tjetra jemi në kohën e debatit publik me këtë çështje. Nuk mund të prekësh njerëz që i kanë vuajtur këto realitet, është vepër që flet me emra”, tha Açka.

Nga ana tjetër, regjisori Spiro Duni tha se risjellja e kësaj vepre në formë leximi nuk kishte për qëllim të provokojë, por përkundrazi të risjellë dhe të nxjerrë më të mirën në pah./Gazeta SHQIP