Kryeministri i vendit, Edi Rama, ishte sot i ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, ku u shpreh se kjo fushatë për zgjedhjet që do të mbahen më 14 maj, nuk e ndjen si një betejë si të tjerat. Sipas tij, kjo për shkak se betejën e kanë pa kundërshtarë dhe për këtë arsye e ndjen vetëm si përcaktuese për të ecur përpara.

Ndërkohë i pyetur se ndër të gjitha projektet, cila është kurora e arritjeve, Rama kujtoi një ngjarje që i kishte ndodhur kur ka qenë ministër i Kulturës.

“Më është ngulur në kokë shumë në ‘99, kam qenë ministër i Kulturës dhe vjen një gazetare italiane dhe pozitive, me dëshirën të bënte diçka pozitive për Shqipërinë, Tiranën dhe në një moment të caktuar më thotë ‘Edi duhet të të them diçka që mua më dhemb shumë dhe nuk mund të iki pa ta thënë’.

Është një vend aq i bukur për atë që i ka dhënë Zoti, por një vend që nuk bën dot një fotografi pasi pas ke diçka që e prish. Duhet të ikësh jashtë qyteteve për të bërë foto. E kjo ka qenë e vërtetë, ka qenë shumë tmerr në cilësinë ë hapësirës publike dhe sot është shumë ndryshe. Tani turistët kanë shumë vende për të bërë fotografi”, tha Rama në “Wake Up”.