Kryeministri Edi Rama ka organizuar një mbledhje sot në kryeministri me të gjithë kryetarët e bashkive.

Më së shumti e vuri theksin te Ujësjellës-Kanalizimet, duke marrë shkas dhe nga helmimi me ujë të pijshëm të qytetarëve të Krujës.

Ai tha se në këtë ndërmarrje është kontribuar rreth 1.2 mld euro, ndërsa keqqeverisja e ka kthyer në një “piramidë që gllabëron para”.

Raman nënvizoi se duhet ndryshuar tendenca që kjo ndërmarrje të kthehet në një vend ku jepen rroga, edhe për persona që nuk punojnë asnjë ditë, e të rritet perfromanca për qytetarët.

“Kemi vendosur në dispozicion të transformimit të sektorit të ujit është mbi 1 mld euro. 1 mld e afro 200 mln euro. Këtu kam tre pyetje për ju.

Pyetja e parë është a jeni në dijeni të performancën të ujësjellës-kanalizimeve në bashkinë tuaj. Të shërbimit që këto ndërmarrje ofrojnë me qytetarët.

E dyta ju a i keni parë ndonjëherë vetë raportet, që më pas i ktheni këtu dhe ia jepni qeverisë si vetdeklarime për performancën. A e keni parë ndonjëherë që është përtej çdo logjike.

Pyetja e tretë është sa fonde keni alokuar ju nga fondi i bashkisë me furnizimin me ujë. Këto janë pyetje retorike, sepse faktet flasin vetë. Fakti i fundit është se ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet, e më pas janë qytetarët që më të drejtë ankohen.

Rritja e investimeve nuk përkthehet në rritje të humbjeve. Po marr kampionin, bashkinë e Vlorës, mbi 78.9% humbje. Një kompani e falimentuar si një fabrikë që merr para nga shteti dhe si një lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe nuk është një mall që trajtohet si mall tjetër, kur vjen puna te domosdoshmëria për ta pasur ujin në familje. Si mund të vazhdojë kjo histori kështu? Si mundet që numri i të punësuarve të ujësjellësve të Shqipërisë është sa një armatë e ndonjë shteti që është 10 herë më i madh se Shqipëria”, tha Rama.