Kunata e Taulant Malajt ka zbuluar detaje të reja, pas tragjedisë së familjes shqiptare në Itali.

Raba Malaj tha në një bisedë telefonike se Taulani natën kur ndodhi krimi, kishte marrë në telefon të vëllanë, ku i kishte pohuar se kishte vrarë 3 persona.

“Taulanti natën që kreu krimin, na telefonoi. Ai mori vëllanë dhe pohoi se kishte vrarë 3 persona. Ai pas vrasjes erdhi me makinë para pallatit tonë. Ai erdhi me makinë dhe tha ejani të merrni djalin. Ne kur shkuam gjetëm djalin duke parë të motrën e vdekur”, tha ajo, duke folur për News 24. 

45-vjeçari me profesion bukëpjekës dyshonte se bashkëshortja e tradhëtonte me një italian të identifikuar si Massimo De Santis, 51 vjeç. Për këtë arsye, dyshja ishin konfliktuar shumë herë, por sherri kulmoi një natë më parë kur shqiptari i zuri pritë në shkallë italianit.

Ai e qëlloi 51-vjeçarin me një thikë kuzhine dhe e la të mbuluar në gjak në shkallë ku dhe ndërroi jetë. Më pas, me të njëjtën thikë të lyer me gjak, u fut në banesë ku u konfliktua me të shoqen. Dyshja nisën të konfliktoheshin fizikisht. Ai qëlloi gruan me thikë e më pas nisi të qëllonte të bijën, vetëm 16 vjeçe, për të cilën gjithashtu thotë se është ngacmuar nga italiani.

Adoleshentja ndërroi jetë në vend, ndërsa gruaja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. I vetmi që shpëtoi ishte djali 5-vjeçar. Taulant Malaj i filmoi të tre dhe videon me trupat e tyre të mbuluar në gjak ua dërgoi të afërmve. Në sfond dëgjohet të shante të shoqen dhe të thoshte se do të vijonte t’i masakronte me thikë, pasi policia nuk kishte mbërritur ende në vendngjarje.