Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar lëvizjet e plota të autorëve që pak pas mesnatës së djeshme sulmuan godinën e Top Channel, duke i marrë jetë rojes Pal kola.
I ftuar në emisionin “Zona Zero”, Hoxha zbuloi se autorët kanë kaluar fillimisht para godinës së televizionit për të parë gjendjen, dhe më pas janë rikthyer duke hapur zjarr. Ai tha se ata kanë qëlluar më shumë plumba nga sa janë gjetur, ndërsa shtoi se nëse do ishin futur brenda godinës, pasojat do ishin më të rënda.
“Ata i kanë hedhur një sy njëherë situatës, pasi kanë kaluar njëherë, pastaj kanë marrë kthesë dhe janë rikthyer para godinës, ku me nxitim kanë hapur zjarr. Nga zhurma që dëgjohet nga kamerat live të emisionit “Big Brother”, zbulohet se aty janë qëlluar më shumë plumba se sa gëzhoja janë gjetur. Nëse ata persona do të zbrisnin nga makina dhe do të hynin në godinë, kush do i ndalonte? Jo vetëm Top Channel, por asnjë media nuk merr masa sigurie në këtë mënyrë. Siç thashë ky nuk ka qenë qëllimi i tyre, ata donin të godisnin fasadën e Top Channel U ka dalë jashtë dore viktima që ka humbur jetën.”- deklaroi Hoxha.