Ish kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputetja Monika Kryemadhi u paraqit në Gjykatën e Tiranës për të bërë një padi civile ndaj televizonit Top Channel dhe lajmëroi edhe një padi penale ndaj nesh.

Arsyeja e këtij zemërimi të politikanes së lartë është publikimi i disa fakteve nga Top Channel për pagesa të marra dhe të dhëna nga zonja Kryemadhi për kompani të regjistruara në parajsa fiskale por të vërtetuara që pas tyre qëndrojnë oligarkë rusë të lidhur ngushtësisht me Kremlinin. Faturat e pagesave janë bërë për shërbime marketing apo fitime aksioneresh, sipas dokumenteve që janë publikuar edhe nga media të huaja.

Padia civile e Monika Kryemadhit ndaj Top Channel, nuk ka për qëllim vërtetimin e fakteve publike ndaj saj, por goditjen e medias më të madhe kombëtare në aspektin financiar. Kjo duket qartë në kërkesën për dëmshpërblim, prej 400 mijë eurosh, që deputetja e Partisë së Lirisë kërkon nga Top Channel.

Në Qendrën Europiane për Lirinë e medias, padia e Kryemadhit njihet si e llojit SLAPP (Strategic Lawsuit Against Public Participation), e cila synon intimidimin dhe rritjen e presionit ndaj medias për të mos publikuar fakte ndaj politikanëve që cenojnë interesin publik.

Top Channel i bën thirrje organeve të drejtësisë që paralelisht me padinë e zonjës Kryemadhit ndaj medias, të vërtetojë faktet e implikimit të saj me financimet ruse.

Rikujtojmë zonjën Kryemadhi që fjala e lirë u godit një herë këtë vit, dhe meqenëse nuk tregoi as solidaritet në ato momente për median tonë e ftojmë të paktën mos të nxisë në asnjë aspekt revoltë ndaj Top Channel, që në fakt bën vetëm punën e raportimit të lajmit, kurrsesi të shpifjes.

Top Channel nuk intimdohet dhe shantazhohet nga asnjë subjekt politik, sepse kjo media është pronësi e shqiptarëve, të cilët prej vitesh i qëndrojnë besnik ekranit tonë.