Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë të dëgjohen, të këshillohen, të mbështeten, të kenë shembuj pozitivë dhe të ndihmohen të përballojnë me përgjegjshmëri situatat e jetës. Duke marrë shkas edhe nga ngjarja tragjike e vrasjes së 15-vjeçarit në Gramsh, ekspertët thonë se ka disa sjellje dhe reagime që paralajmërojnë se fëmijët dhe të rinjtë mund të kenë probleme.

“Duhet të jemi të vëmëndshëm për të parë tek fëmijët edhe se çfarë filmash po shikojnë, çfarë këngësh po dëgjojnë, më kë po shoqërohen. Nëse një adoleshent shoqërohet me persona më të rritur se sa ai vetë, ka diçka që nuk shkon në këtë mes, është një sinjal që duhet të na shqetësojë.

Nëse shohim që një fëmijë ndryshon në mënyrë të menjëhershme dhe drastike sjelljen e tij, ose është i lëkundur, i paqendrueshëm, ose kalon një kohë shumë të gjatë jashtë shtëpisë, nuk frekuenton shkollën, këto janë sinjale për t’u shqetësuar. Nëse sheh një fëmijë apo të ri që në mënyrë të përsëritur shfaq shenja agresiviteti ky është një sinjal që duhet të fillojë të na shqetësojë të gjithëve,”- u shpreh Diana Kanaj, Këshilltare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjvë në World Vision Albania, në emisionin Wake Up në Top Channel.

Ekspertja Kanaj bën thirrje që të punohet më shumë në trekëndëshin fëmijë-familje-shkollë, në mënyrë që raste të tilla dhunë të mos përsëritën dhe të eliminohet dhuna mes të rinjve.

“Disa nga arsyet që po i çojnë të rinjtë në konflikt mund të jenë që nga situatat brenda në familje, situatat që mund të ndodhin në komunitetin shkollor apo edhe në lagjet ku ata banojnë. Kohët e fundit ka edhe një shtim të konflikteve në rrjetet sociale,”-tha Kanaj për Wake Up.

Sipas ekspertes për mbrojtjen e fëmijëve, është e rëndësishme që të raportohen edhe rastet më minimale të dhunës, sherreve apo konflikteve mes fëmijëve dhe të rinjve.

‘Një gjë që dua të sjell në vëmendje është se sa të hapur jemi ne si shoqëri për të pranuar që ka raste kur fëmijët kanë nevojë për ndihmë, kanë nevojë për psikolog apo për punonjës social. Duhet të raportohen të gjitha rastet kur fëmijët shfaqin shenja dhune, bullizimi etj, qoftë edhe tek psikologu i shkollës. E vërteta është që njerëzit hezitojnë për të raportuar. Duhet reaguar që në format më minimale të dhunës, pasi nëse i injorojmë situatat e vogla, kjo dhunë mund të degradojë edhe në raste ekstreme,’-tha Kanaj për Wake Up.