Hakerat e grupit “Homeland Justice” janë rishfaqur sërish, teksa ditën e sotme kanë kërcënuar se do publikojnë të tjera të dhëna.

 Grupi i hakerave iranianë kanë publikuar një video, protagonistë të së cilës thuhet se janë disa punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit. Hakerat kërcënojnë se do publikojnë të dhëna të tjera “bombë”.

“Kujdes SHISH! Do publikojmë një bombë. Në vend që të shpërdoroni taksat e popullit tonë për terroristët antinjerëzor të Durrësit, shpenzoni paratë për popullin e kultivuar të Shqipërisë,”-shkruhet krahas videos.

Në videon e publikuar shihen dy persona të cilët janë kapur me kurriz, ndërsa nuk është zbuluar ende identiteti  i tyre.

“Përshëndetje jemi njësia hetimore e Policisë së Shtetit. Unë jam drejtori,”-thotë në video një prej personave, ndërsa tjetri filmon me kamerën e trupit.

Irani nuk i ka ndalur sulmet ndaj Shqipërisë. Së fundmi publikoi targat e makinave të shqiptarëve dhe të gjithë hyrje-daljet e kryeministrit Edi Rama. Këtij të fundit i zbuluan dhe skandalin e fluturimeve me ‘charter’. Bllokime të sistemeve kufitare ka pasur herë pas here, sulme të shoqëruara me mesazhe kërcënuese ndaj vendit tonë. Nga ana tjetër, vetëm disa ditë më parë, ata kanë publikuar 16 faqe në draftin prej 576.7 KB ngarkesë. Në faqe shkruhen emrat e punonjësve të SHISH, pozicioni që mbajnë ata pranë këtij institucioni, si dhe e-mailet zyrtare.

Për shkak të këtyre sulmeve vendi ynë ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me shtetin islamik të Iranit, duke dëbuar dhe stafin e ambasadës.