Policia ka shpallur në kërkim ditën e sotme Emiljano Ninën, i cili akuzohet se ka qenë autori i aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djehsëm, tek diga e Liqenit Artfiicial.

Nina akuzohet se ka qenë në timonin e “BMW X6”, të cilën e përplasi me digën, mëngjesin e djeshëm. Ndërkohë në pranga ka përfunduar për “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” pronari i mjetit, Eldi Allushi.

Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur rreth orës 05:15, të datës 22.08.2023, në Rrugën e Kosovarëve, kanë arrestuar shtetasin:

-E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskllëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

-kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për shtetasin J. A., 25 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– kanë shpallur në kërkim shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N., duke drejtuar automjetin “BMË”, në pronësi të shtetasi E. A., për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi J. A., i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Shtetasi E. A. ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme në lidhje me rrethanat e aksidentit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shkop bejsbolli që është gjetur në banesën e shtetasit E. N. Policia vijon kontrollet për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi.