10 persona ranë në pranga dhe një u shpall në kërkim, pas një operacioni të ndërmarrë nga SPAK, DEA amerikane dhe autoritetet malazeze, që çoi në zbulimin e një laboratori kokaine në Fier.

Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka zbardhur detaje të reja, teksa tha se personat e përfshirë në laboratorin e drogës, kanë pasur njohje me administratën shtetërore dhe se kanë të kaluar të pasur në botën e narkotrafikut. Sipas Hoxhës,  të bësh marrëveshje për drogë me Kolumbinë do të thotë se grupi në këtë rast ka pasur shuma të mëdha parash të fituara më parë nga trafikim i drogës.

“Personat e përfshirë kanë pasur njohje me persona të përshirë në administratë. Personat që kanë organizuar dhe financuar padiskutim, janë persona që kanë lidhje me botën e narkotrafikut, që nuk e kanë operacion të parë. Ato para i kanë fituar me ngarkesa tjera. Kolumbianët nuk nisin punë nëse nuk sigurohen se “klineti” ka para dhe e suporton. SPAK tha se ka kapur një nga financuesit. Deri më tani është Nikolin Gjolena. Sasia e parave është shumë e madhe. Prandaj bëhen 3 , 4 operatorë që të minimizojnë dëmin nëse pësojnë goditje. Janë disa financues. Autoritete tona kanë mbikëqyrur shtetas kolumbianë që kanë ardhur gjatë kësaj kohe. I shpalluri në kërkim kishte hyrë në mënyrë të rregullt në Shqipëri. Kur u ndalua nga policia nuk u gjet mënyra se si kishte hyrë. E lanë të lirë që ta ndiqnin dhe të zbuluar se ku do i çonte”, tha Hoxha.