
Agron Shehaj shpall kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike. Lajmin për të sfiduar Bashën e ka bërë vetë publik Agron Shehaj me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur. Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime”, shkruan Shehaj.
Ai është deputeti që ka marrë më shumë vota në PD në qarkun e Tiranës, duike marrë 13862 vota.
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, Shehaj ishte i pari që do të deklaronte futjen në Parlament dhe pranimin e rezultatit të zgjedhjeve. “Dua t’ju falenderoj sinqerisht të gjithë ju që votuat Partinë Demokratike në Tiranë dhe veçanërisht në Njesinë 5 dhe 7, ku pata nderin të punoj bashkë me demokratët. Mbi 9 mijë vota më shumë se në vitin 2017, në këto dy njesi, janë një besim i madh për partinë tonë. Si çdo demokrat do dëshiroja që sot të kishim marrë mundësinë për të venë në jetë angazhimet që morëm para gjithë shqiptarëve pēr t’u dhënë atyre një qeveri të përgjegjshme që punon për njerëzit. Por vota juaj për Partinë Demokratike nuk është e humbur, ajo do të përfaqësohet besnikërisht dhe me kurajo në Kuvendin e Shqipërisë, që mbi të gjitha u takon shqiptarëve të thjeshtë. U jam gjithashtu mirënjohës dhe ndihem përgjegjës ndaj të gjithë juve që shprehët besim tek unë personalisht. Do ta tregoj me punë, çdo ditë, se jam në politikë për ju dhe për t’i shërbyer me nder interesit publik. Faleminderit!”, do të shprehej në një status Shehaj në një status në Facebook.
Postimi i plotë
Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!
Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.
Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.
Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.
Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej.