
Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS) do të publikojë sonte në emisionin Open në Top Channel, sondazhin e fundit dhe projeksionet e opinionit publik mbi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 Prillit dhe në veçanti rezultatet e pritshme për kryeqytetin.
Në studimin që do të publikohet sonte në orën 21:00, qytetarët janë pyetur nga IPSOS për drejtimin në të cilin po shkon vendi, disa nga çështjet më të rëndësishme me të cilat po përballet Shqipëria dhe figura politike që qytetarët besojnë më shumë.
Studimi është kryer gjatë këtij muaji në periudhën 18 prill deri në 20 Prill me 2 mijë të anketuar mbi 18 vjeç.
Ky është sondazhi më i rëndësishëm dhe përfundimtar që i jep përgjigje pyetjes se për cilën parti do të votojnë Shqiptarët në 25 prill.
Tek Tirana, sondazhi ndalet në menyrë të veçantë dhe bën projeksionin e mandateve të deputetëve që pritet të fitojnë në 25 Prill- (sipas IPSOS) Partia Socialiste, Partia Demokratike apo forca te tjera politike.
Sondazhi publikohet sonte për të respektuar detyrimin ligjor që sipas Nenit 78, pika 3 e Kodit Zgjedhor sanksionon se: “rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit”.