Bën përshtypje fakti se beteja ligjore që trafikantët kishin planifikuar ishte ajo për transferimin e dosjes nga Krimet e Rënda në Vlorë.
Pra, pagesa që ata kërkonin të realizonin për prokurorin e Krimeve të Rënda Nakuçi ishte vetëm për transferimin e dosjes. Me sa duket, në Vlorë gjithçka e kishin kollaj përmes prokurorit Maksim Sota.
“Landi, Maksimi dhe Miri po merreshin me çështjen deri në kalimin në prokurorinë e Vlorës. Di që për zgjidhjen e çështjes së sekuestrimit të 808 kilogramëve marijuanë, për transferimin mes prokurorive, Lani ka paguar 150 deri në 200 mijë euro, kështu më ka thënë. Jemi në pritje për të kuptuar nëse provat tona kanë pasur rezultat në proceset në Shqipëri. Ne nuk prcedojmë në Itali le të themi, persona publik shqiptarë, nuk është kjo… Kjo bëhet në Shqipëri edhe falë hetimeve tona, të shohim si do shkojë procesi në Shqipëri”, u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias.
Tani, le të shohim në mënyrë kronologjike hapat kryesorë se çfarë ndodhi me dosjen hetimore ndaj pjesëtarit të grupit Robert Myftari, dosje e cila ishte në dorë të prokurorit Ened Nakuçi.
Në bazë të referimit të policisë së Vlorës, prokurori i Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal numër 313 datë 11 nëntor 2015. Në datën 29 janar 2016 u regjistrua si i dyshuar emri i Robert Myftarit.
Këtu është momenti kur hyn në lojë “Lani” me njohjet e tij në prokurori. Në 25 Nëntor të vitit 2016 vendoset pushimi i hetimeve ndaj Robert Myftarit, edhe pse në gomonen e drogës ishin gjetur dokumente që e lidhnin me të. Ndërkohë, në 10 Korrik 2017 u pezullua dosja pasi nuk u arrit të identifikoheshin trafikantët.
Pra, dëshmia e Mariglen Shushës përputhet me atë që ka ndodhur në të vërtetë. Hetimet ndaj Myftarit ishin pushuar dhe dosja ishte pezulluar.