Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë në orët e fundit kanë bërë që në Fushë-Krujë të dalë nga shtrati lumi Ishëm. Bëhet e ditur se uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore kryesisht në fshatin Murqinë dhe Mallkuç.
Nga ana tjetër, problematike situata paraqitet në qarkun e Shkodrës, ku rrjedha e ujit mori babanë me dy fëmijët në Bogë të Malësisë së Madhe. Vajza arriti të shpëtojë, ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë të Pjetër Rushjat dhe djalit të tij. Ditën e sotme do të nisin kërkimet me dron për të bërë të mundur gjetjen e makinës së Rushajt.
Ndërkohë në qarkun Gjirokastër janë krijuar probleme në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” në Ballaban, në aksin Ballaban-Këlcyrë, në aksin rural Valare-Çajup, në aksin Suhë-Zagorie, në aksin Ura e Kardhiqit-Sarandë afër tunelit të Skërficës, në aksin rural Kolonjë- Golem dhe ne aksin rural Zenelaj-Zhulat.