Të premten e 25 nëntorit, mësuesja e shkollës fillore së mesme të ulët ‘Dardania’ në kryeqytet, Sadije Godeni, 63-vjeçare, dyshohet se u vra mizorisht ndërsa ishte në gjumë nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni.

Godeni dyshohet se e goditi me sëpatë, duke i marrë jetën bashkëshortes së tij. Ndaj Godenit, Gjykata Themelore ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.

Ndërsa mbrëmjen e djehsme, i gjithë vendi u trondit nga rasti i tmerrshëm që ndodhi në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gruaja shtatzënë e cila ishte shtruar në këtë Klinikë, Hamide Magashi, 35-vjeçare, dyshohet se u vra me dy plumba nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin ishin në proces ndarjeje.

Magashi ishte në javën e fundit të pritjes së ëmbël, por kjo javë u kthye në tragjedi. Burri me të cilin ishte në proces divorci ia mori jetën gruas dhe fëmijës dhe më pas iku me makinën e tij në arrati. Policia e ka shpallur në kërkim të dyshuarin dhe e ka konfirmuar rastin tragjik.

Gruaja që u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së ishte nën trajtim të autoriteteve pasi në këtë rast ishte lëshuar një urdhër për mbrojtje. Ajo në korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici një rast të dhunës në familje, ku personi për të cilin kishte raportuar ishte pikërisht ish-bashkëshorti i saj.

Fjalët e fundit që 35-vjeçarja shtatzënë Hamide Magashi ka thënë para se të vritej nga burri i saj në Kosovë janë bërë publike. Vrasja e saj ndodhi pikërisht në oborrin e Gjinekologjisë ku ka pasur edhe kalimtarë rasti.

Gruaja që dyshohet se u vra në oborrin e QKUK-së ishte duke jetuar me babanë e saj që kur u nda nga burri i saj.