Nisur nga debatet e fundit për Marrëveshjen e 5 Qershorit, listat e hapura apo koalicionet para-zgjedhore, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka reaguar përmes një deklarate për shtyp.


Sipas KRIIK konfrontimi politik që tanimë po rrezikon Marrëveshjen Politike të 5 qershorit 2020, paraqet në vetvete perspektivën e një ecurie akoma më të rrezikshme se ajo që i parapriu dakordësisë politike.


“Mosmiratimi me emergjencë i kësaj Marrëveshje dhe interferimi në këtë proces i agjendave të tjera pa dakordësi të plotë dhe të gjithëanshme politike po e çon vendin nga një precedent i rrezikshëm në tjetrin,” thuhet në reagim.


Procesi i amendimit Kushtetues të ndërmarrë së fundi, përpos problematikave të tjera që mbart në vetvete, është një ndërhyrje e njëanshme e mazhorancës në kundërshtim me zotimin e marrë në zbatim të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.


Në Relacionin që shoqëron projektligjin e dakordësuar nga kjo Marrëveshje Politike deklarohet se këto amendime mundësojnë dakortësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të rradhës, si dhe përbëjnë bazën ligjore të ndryshuar me të cilën këto dy procese zgjedhore do të zhvillohen.


Gjithashtu, KRIIK shprehet se Procesi i Amendimit të Kushtetutës i ndërmarrë nga Kuvendi, me një proces konsultimi fiktiv, në shkelje të gërmës dhe frymës së ligjit dhe pa dakordësi të plotë politike,  konsiderohet si një veprim tejet i rrezikshëm.


Ky hap që po ndërmerret, pas precedentit të gjithëkritikuar të ndryshimeve kushtetuese të vitit  2008, është finalizimi i çshenjtërimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.


KRIIK ngre me forcë alarmin që ky precedent i ri dhe ky standard që po vendoset, nga kjo mazhorancë apo nga ajo që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, mund të përdoret duke zgjatur duart edhe drejt Reformës në Drejtësi.


Themeli i kësaj reforme, i cili jetësohet në vetë Kushtetutën e Republikës, nën standardin e vendosur, nesër mund të tjetërsohet duke bërë nul vetë Reformën dhe minuar projektin shtetformues demokratik.


Në konsideratën e KRIIK, procesi amendues kushtetues ka tërë legjitimitetin e duhur të nisë prej kujtdo prej aktorëve politikë, por ai duhet të sigurojë në rradhë të parë një proces të mirëfilltë dhe të vërtetë konsultimi të gjerë publik, të sigurojë dakordësinë më të gjerë të mundshme të tërë aktorëve politikë e civilë, të ketë në dispozicion kohën e mjaftueshme për një proces të gjerë dhe efektiv konsultimi, si dhe të tregojë maturi duke përcaktuar hyrjen në fuqi dhe zbatimin e amendamenteve të konkluduara, në procesin zgjedhor të mëpasshëm, pas atij të rradhës


DOKUMENTI I PLOTE