Seanca e sotme e Kuvendit ka zgjatur deri në orët e para të mbrëmjes, ku në rendin e ditës ka qenë edhe vendimi i kryeministrit Rama për shkarkimin e Bledi Çuçit si Ministër i Brendshëm.
Gjatë seancës është miratuar me 84 vota “Pro”, 3 kundër dhe 3 abstenim shkarkimi i Çuçit.
Shkarkimi i ministrit Çuçi erdhi disa ditë pas ngjarjes së rëndë në Krujë, ku persona të afërt me deputetin Rrahman Rrahja dhunuan mizorisht dy kushërinjtë Maja në lidhje me një denoncim që ata kishin bërë për dëmet që iu ishin shkaktuar në shtëpi nga një gurore.
Për këtë ngjarje, dorëzoi mandatin dhe vetë deputeti Rrahja, i cili pritet të zëvendësohet në Kuvend nga Arkend Balla.
Brenda të njëjtës ditë, Rama emëroi Ballën si ministër të ri të Brendshëm, i cili ditën e hënë mori edhe dekretin e presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për të mbajtur këtë detyrë.
Bledi Çuçi mbajti postin e ministrit të Brendshëm për një periudhë rreth 1 vit e gjysmë, pas emërimit në këtë detyrë në dhjetor të vitit 2020.