Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë për çështjen “McGonigal”, arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së, sonte në “Top Story” në Top Channel.
I pyetur nga moderatorja Grida Duma se cilët ishin personat e tjerë që u futën në zyrën e tij bashkë me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, Rama u shpreh se i ka mirëpritur si njerëz të besuar të ish-agjentit.
Grida Duma: Vështirë të besoj se ju si politikan karriere nuk di se kush janë personat që hyjnë në zyrën e tij
“Nuk e thashë këtë, unë e di mirë kush hyn në zyrën time. Ish-zyrtari ka ardhur bashkë me Agron Nezën, unë s’mund t’i thosha të dalë jashtë ky se është nga Tropoja, i kam thënë bujrum të dyve dhe s’kam asnjë problem t’i them që do ju takoja sërish po të vinit. Nuk kam asnjë hall e kosto nga ky takim. Më 14 maj do jetë kosto e shtuar për ata që po përpiqen në mënyrë barbare të ma faturojnë mua.
Nuk ka asnjë aktakuzë që është ngritur lidhur me mua, qeverinë apo zyrtar të lartë të sotëm a të djeshëm se si ju e thatë, sic dinë dhe ata që po përpiqen të më quajnë mua kukull ruse këtu, ndërkohë që janë vegla nga paratë ruse se e kanë takuar dhe të tjerë atë. Hapni raportin e CIA-s që PD ka marrë 500 mijë dollarë nga burime ruse dhe ato dollarë janë dhënë në kohën e çadrës, e shikoni historikun e Dick Marty-t për të kuptuar që janë para ruse. Dhe kuptoni se si një audio e nxjerrë si një fakt i ri mbi 21 janarin turbullon ujërat e tyre që kapen tani me McGonigal,” tha Rama.