“Kryebashkiakja e tërmetit”, Emirjana Sako është e ftuara e radhës e podcastit të kryeministrit Edi Rama.

Sako, e cila mori postin e drejtimit të Durrësit ne momentin më kritik, në nisje të intervistës zbuloi bisedën e parë me kreun e qeverisë, “merr një krevat dhe fli në bashki tani”.

Kryeministri Rama: Emirjana Sako, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit me të cilën jemi takuar në rrethana të jashtëzakonshme, në kuadrin e një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe në një komunikim të pazakonshëm. Të kujtohet? 

Emiriana Sako: Po. S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë. 

Në rrëfimin ndryshe në 360 gradët e jetës së kryebashkiakes, Sako foli për fëmijërinë e saj në Durrës, përjetimet e emigrimit masiv drejt Italisë dhe formimit të saj.

Kryeministri Rama: Ti duhet të kesh qenë sidoqoftë e rritur mjaftueshëm edhe pse ende e vogël për të filmuar me sytë e kuriozitetit fëminor momentet e mëdha dramatike të ikjeve nga Durrësi. Kujton gjë?

Emiriana Sako: Po, patjetër. Mendoj që këto kujtime kanë mbetur aty për më shumë sesa 30 vite deri kur në 8 gusht të vitit 2021 ne patëm një aktivitet me qytetin e Barit,  pra bashkia Durrës dhe bashkia e Barit, pati një aktivitet, i cili u bë dhe në Durrës dhe në Bari në kujtim të nisjes së anijes “Vlora”. Patëm ekspozita, takime dhe në ekspozita duke parë foto të ekspozitave mua më erdhi në kujtesë një pamje nga shtëpia ime dhe kujtoj që anijet që qëndronin në port nxinin nga njerëzit, por këtë gjë nuk kisha si ta kuptoja, nëse nuk po ndodhte diçka brenda shtëpisë time. Pra, kjo mund të ishte thjeshtë një pamje që humbte në sytë e një fëmije, por brenda shtëpisë time im atë bëhet gati që të niset për në Itali. Vishet, merr bukë me vete dhe priste një shokun e vet që të niseshin të dy. Në atë kohë gjyshja ime u alarmua sepse ne sigurisht ne e dinim që duhet të iknim, por jo pse duhet të iknim atje dhe nuk mund të iknim ne komplet si familje sepse ne ishim shumë të vegjël, unë dhe vëllai im, kështu që do nisej vetëm babai im. Ndërkohë gjyshja i lutej që “mos u nis, ke fëmije të vegjël, kush do kujdeset, babai jot është i paralizuar”, etj me radhë dhe këto e bënë atë që mos të nisej. Por ky diskutim brenda familjes shënoi, la një shenjë si të thuash në kujtesën time që në atë kohë isha 8 vjeçe. Nëse im atë do ishte nisur, besoj që nuk do ishim duke folur në këtë Podcast. 

Edi Rama: Ndërkohë jeta të çoi në rrugën e arkitekturës. Pse?

Emiriana Sako: Unë kam pak dhunti për vizatim nga im atë sepse ai përveçse mekanik në UMB ka qenë dhe në institutin e projektimit nr. 6 që ka qenë në Durrës, pra ka qenë një nga institutet e projektimit të ushtrisë mesa kujtoj dhe ai kishte një prirje për vizatim, vizatim teknik etj dhe kishte një prirje inxhinierike. Kjo është trashëguar dhe tek unë dhe që në vitin e parë të gjimnazit, unë fillova të krijoja idenë e arkitekturës si formim. Duke qenë se në njëfarë mënyre e mora këtë vendim herët, u dedikova që të studioja dhe të fokusohesha më tepër në vizatim teknik, në vizatim të lirë, të gjitha llojet e grafikës le të themi plus në këto shkencat ekzakte, matematikë, fizik kam qenë mirë me mësime dhe këto bënë që të fokusohesha këtë 4 vjeçar të gjimnazit për të shkuar drejt konkursit vetëm në degën e Arkitekturës. Pra, nëqoftëse në kohën që unë konkurroja futeshin në konkurs në disa degë, pra këta që ishin mirë me mësime të paktën provonin mjekësi, inxhinieri, provonin disa degë, të cilat ishin të rëndësishme. Unë në fakt konkurrova vetëm në degën e arkitekturës dhe përfundova më tej studimet për të vazhduar të ushtroj profesionin tim 

Rama: Dhe vazhdove edhe me një shkollë apo specializim në Itali?

Sako: Po, kam bërë 2002-2008 ka qenë formimi në fakultetin e Inxhinierisë së ndërtimit, dega e arkitekturës dhe më tej në 2011 pata mundësinë që të bëj një specializim në Romë po për këtë për housing një tematikë nga këto të energjetikës, në degën e arkitekturës ku fillova dhe njëfarë eksperience në një studio projektimi atje dhe me thënë të drejtën isha e dyzuar të qëndroja apo të kthehesha.

Rama: Këtë doja të të pyes. Pse u ktheve?

Sako: Atje duhet të merrja tre mjete që të shkoja në punë duhet të mbaja një laptop nja një orë në kurriz, domethënë do ndërroja dy autobusë dhe një metro që të arrija në këtë studio. Punoja gjithë ditën pa asnjë ditë pushimi për të bërë të njëjtën rrugë në kthim dhe sigurisht në Romë konkurrenca është shumë e madhe, është një qytet, i cili dhe studentët i vendos përpara një blloku sepse ka bukuri të rëndësishmë e të tjera me radhë. Ka shumë studio arkitekture. Ka një konkurencë të madhe. Kishte shumë arkitektë, të cilët punonin kamariera në qendër historike dhe ku fitonin shumë herë më tepër sesa të ushtronin profesionin dhe kjo më bëri që të mendoj që në Shqipëri kisha më shumë hapësira për të ushtruar profesionin tim dhe patjetër kisha më shumë hapësira për të punuar.

Duke u ndalur te detyra e saj në krye të bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako thotë se prioritetet e saj mbeten pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi për ta bërë qytetin bregdetar më të pastër, megjithëse thekson se ka vend për përmirësime.

Emiriana Sako:  Durrësi ka pësuar një transformim të vazhdueshëm në këtë 20 vjeçar, është një qytet, i cili është bërë më modern, më i hapur, ka një rritje të madhe të numrit të turistëve, shkon çdo vit në rritje dhe kjo patjetër ndikon tek shërbimet, tek cilësia e shërbimeve që jep sektori i biznesit, por unë gjatë punës time jam përpjekur të merrem me, ato punët e shtëpisë siç quhen; pra, pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi, pra i kam dhënë një prioritet shumë të madh. Sot, patjetër që Durrësi është një qytet më i pastër, këtë e thonë të gjithë banorët e tij. Nuk mund të them që jam e kënaqur nga puna; nga puna ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar dhe për të bërë më shumë, por edhe me projektet madhore që ne kemi së bashku, mendojmë që do t’i japim një vend të ri të qytetit tonë, jo vetëm në rolin që ka në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Sako ka kujtuar edhe Komisionin Hetmor për Inceneratorët ku pati tenosione dhe debate të ashpra, për të cilin thotë se i dukej i padrejtë se ishte në fushatë zgjedhore, megjithatë u përpoq që të ruante qetësinë.

Emiriana Sako: Doja të bëja një refleksion të asaj që kam ndier unë të paktën në këtë tre vjeçar për të qenurit pjesë ne politikë. Në përgjithësi, edhe nga të rinjtë që janë pritet mbase një lloj agresiviteti për t’u bërë i barabartë me atë medium që është në Shqipëri që të jesh politikan duhet të bësh debat, duhet të jesh i sherrosur gjithë kohës e të tjera me radhë dhe unë kam qenë e kundërta e kësaj sepse këtë formim kam edhe këtë natyrë kam. Në përgjithësi jam e fokusuar te puna dhe te raporti me njerëzit. Ajo është më e rëndësishmja për mua, por kur kam qenë në Komision Hetimor patëm një farë përplasje me grupin e komisionit dhe në fakt, unë isha… po të më shpoje nuk me dilte një pikë gjak në atë debat që patëm aty sepse më dukej i padrejtë. Më dukej i kërkuar sepse unë isha në një fushatë zgjedhore. Pra, më dukej si një mizanskenë tamam kështu më dukej. Ndërkohë, njerëzit më falenderonin, më thonin bravo për sjelljen, për qëndrimin, për përballjen që kisha bërë dhe nuk arrija t’i besoja syve se mua më dukej një gjë negative ajo që kishte ndodhur atje, ndërsa njerëzit e kërkonin këtë gjë mesa duket dhe kjo unë mendoj se duhet të ndryshojë sepse politika nuk bëhet vetëm nëpërmjet këtij debati kaq të fortë dhe shpesh herë shterpë, por bëhet nëpërmjet fakteve, qëndrimeve, nëpërmjet punës, e të tjera me radhë siç bëhet në çdo profesion tjetër.