Grupi i trafikantëve të 430 kg kokainë duket se mezi e kanë pritur ngarkesën që të vinte. Pas mbërritjes së drogës dhe zhdoganimit, Denilson Çervanaku e ka sjellë kokainën në një magazinë, ku ia besoi Marildo Ronës, ku kokaina monitorohej nga kamerat 24/7.
Në fund të shtatorit, kur ka ardhur edhe shtetasi kolumbian për të bërë ndarjen, ngarkesa është transportuar nga Kombinati drejt fshatit Frakull, moment ky që ka ekzaltuar edhe të riun Denilson Çervanakun.
“Me rob shpie, sa lart jam. Me rop rob shpie, s’kam qenë ndonjëherë si ky moment, ndihem shumë mirë. Më vdekt plaka”, shpreh entuziazmin e tij i riu, në një nga bisedat me anëtarët e grupit.
Lajmi për drogën u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri.
Deri më tani janë arrestuar: Zenel Cervanaku, i cili akuzohet se është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.