Bosi turk i kriptomonedhës Fatih Ozer është arrestuar ditën e sotme nga policia në Vlorë teksa ishte duke marrë rreze dielli.
Lidhur me këtë ngjarje mediat turke kanë raportuar dhe kanë dhënë detaje.
Haber Turk shkruan se Drejtori i Përgjithshëm i Thodex në arrati, Fatih Özer është kapur në qytetin e Vlorës si rezultat i një operacioni të kryer nga policia shqiptare.
Sipas medias turke policia shqiptare kapi Fatih Ozerin në operacionin që ai organizoi në orën 08:30, ndërkohë që vazhdon marrja e tij në pyetje pranë autoriteteve shqiptare.
Policia shqiptare ka ndaluar 3 muaj më parë 2 persona që kanë qenë në kontakt me Fatih Özerin të cilët i ka lënë të lirë, por ka nisur ndjekjen e tyre.
Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme turke thuhet se “Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledar Çuçi, ka njoftuar sot në mëngjes ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu se themeluesi i Thodex, i arratisuri Faruk Fatih Özer, i cili ishte në kërkim u kap në Vlorë në Shqipëri dhe identiteti i tij u konfirmua nga rezultatet biometrike”.
Një foto e shpërndarë nga mediat turke, duket se bosi i kriptomonedhave ka një ndryshim drastik në pamje. Nga një djalë biznesmen i ri, i veshur me kostum dhe pamje të rregullt, duket se i riu ka prerë flokët ka mjekër dhe shihet i zhveshur.
Mësohet se policia shqiptare ia ka përcjellë autoriteteve turke për identifikim fotografinë e Fatih Özer. Ndërkohë kanë nisur veprimet për ekstradimin e tij.