Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka paralajmëruar ditën e sotme ulje të çmimeve të pasaportave dhe të kartës së identitetit.

Pas mbledhjes së sotme të kabinetit qeverisës, Çuçi deklaroi se prodhimi i mjeteve të identifikimit do kalojë nga kompania private “Aleat” tek ajo publike, dhe në këtë mënyrë mund të ketë fleksibilitete dhe shteti do mund të ndërhyjë më tepër për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Nuk është e lidhur fare me çmimin, është marrëdhënie kontraktore me kompaninë që mbaron në korrik të këtij viti. Do përfundojmë kontratën dhe do e marrim në dorëzim gjithë kompaninë e kartave. Pastaj çështja e çmimit është një çështje që vendoset. Jemi më fleksibël për t’i ndryshuar çmimet. Jemi fleksibël por s’lidhet me ndryshimin e ligjit.”, -tha Çuçi.