Kryeministri Edi Rama për shkak të qëndrimit ndaj çështjes “Beleri”, është “penalizuar” nga Athina zyrtare duke mos e bërë pjesë të darkës së sotme të liderave të Ballkanit perendimor dhe vendeve anëtare të BE-së të rajonit.

Ata do të jenë në mbrëmje në Athinë në krah të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Kryeministri Edi Rama nuk u ftua në takim! Fillimisht nuk u bë e ditur arsyeja e refuzimt nga Greqia për të ftuar Kryeministrin shqiptar Edi Rama, por qeveria greke përmes zëdhënësit e tij dje bëri të qartë se ka lidhje me arrestimin e Fredi Belerit dhe reagimin e kreut të qeverisë shqiptare për protestën e kryebashkiakut të Athinës në Himarë ku kërkonin lirimin e Belerit.

Rama u kërkoi protestuesve, mes të cilëve ishin edhe kryebashkiaku i Athinës dhe Selanikut, që t’i binden ligjit dhe se nuk mund të kundërshtojnë vendimet e një gjykate të një shteti demokratik.

Ndaj Greqia do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të BE-së në një darkë informale, në orën 20:15, pas ftesës së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis me rastin e 20- vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”, por nuk do të jetë Edi Rama. Në darkën informale, Greqia ftoi Shqipërinë në rang presidencial dhe nuk kishte një ftesë të veçantë për kryeministrin Edi Rama, ku në lidhje me këtë reagoi dhe zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis.

Ai shprehet se ftesa e munguar Ramën në darkën e thirrur nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vjen si pasojë e qëndrimeve për çështjen e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Belerit i cili ndodhet në burg si i akuzuar nga SPAK për blerje votash. Zëdhënësi i qeverisë thekson se Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit ligjor dhe se nga ana e Greqisë nuk do të ketë asnjë hap pas.

“Qeveria greke me një sërë ndërhyrjesh të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, është e koordinuar me shtetin e së drejtës, jo vetëm pranë Fredi Belerit një kryetar bashkie i zgjedhur ligjërisht, i cili duhet të betohet. Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit ligjor dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për këtë”, deklaroi ai.

Në darkën e sotme, sipas ‘Protothemës’, kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Malit të Zi,Jakov Milatovic, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borgiana Christo, ndërsa lideri i Sllovenisë nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht. Sipas medias greke, kjo drekë ka si qëllim që kryeministri grek të riafirmojë mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit, e cila bëhet edhe më e rëndësishme në mjedisin e ri të sfidave të krijuara nga pushtimi rus i Ukrainës.

Shqipëria, e ftuar në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet pasi Presidenti Begaj ka një axhendë tjetër.

“Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët”, thuhet në përgjigjen e presidencës.