Zbulohen detaje të tjera në lidhje me operacionin e SPAK  ku u la në “arrest shtëpie” ish zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Mësohet se ajo ka marrë ryshfet 2000 euro nga Florida Beu, që kjo të punësohet në Ministrinë e Brendshme. Këto para janë marrë nga ndërmjetësja Majlinda Hasani, avokate nga Durrësi dhe më pas i janë dhënë ish zv.ministres së Brendshme.

Emri i Rovena Voda lakohet nga dy zonja, njëra prej të cilave është shoqe e ish-zyrtares së lartë ndërsa tjetra ishte e interesuar që të punësohej medoemos si specialiste në një nga dikasteret dhe gjithashtu ajo ëndërronte të ishte juriste në ministrinë e brendshme.

Por gjatë konkurrimit ajo u skualifikua teksa më pas shfaqen pakënaqësitë në telefon, ku ajo tregon se kishte paguar 2 mijë euro.

Më herët, në një intervistë televizive në cilësinë e zv.ministres, Rovena Voda thoshte se do të goditen dhe do të bllokohen pasuritë dhe asetet e paligjshme, me qëllim që t’u pritet “koka” grupeve kriminale.

“Flas me pasion për Policinë e Shtetit për shkak se kam dy vjet në atë ministri dhe shoh nga afër vullnetin edhe punën e palodhur të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit. Ne ndërmorëm Vetingun, një Prokurori e pastër, pse jo të kemi edhe një Polici të pastër. Sepse ata janë vija e pare që përballen me krimin. Lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet për hapjen e negociatave me BE. Ajo që po duam t’i mëshmojmë më fort është lufta kundër aseteve kriminale. Mendojmë se nëse do vazhdojmë të godasim në bllokimin e pasurive, aseteve të paligjshme ne do të mundemi t’ia presim ‘kokën’ lulëzimit të grupeve kriminale”, shprehej dikur Voda në një intervistë.

Siç duket zv.ministrja paska qenë në krahun e gabuar.