Gjatë një konference për mediat, kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar sot se përveç rrugëve të bllokuara nga reshjet e shiut dhe rrëshqitjet e dherave në Shqipëri ka pasur dhe jetë të humbura. Sipas tij, fatkeqësia e vërtetë për vendin nuk është moti por Edi Rama dhe ministrat e tij.

Berisha përmendi rastin e një gruaje në Rehovë të Skraparit që ka humbur jetën sepse ishte shembur ura dhe atë e kishte marrë rrjedha e lumit. Mirëpo, siç ka sqaruar Policia gruaja vuante nga depresioni dhe është vetëmbytur, bazuar dhe në dëshminë e burrit të saj.

Deri tani, Policia e Shtetit nuk ka raportuar për asnjë jetë të humbur nga moti i keq në të gjithë territorin e Republikës.

“Rrugë të bllokuara dhe jetë të humbura për shkak të infrastrukturës mesjetare. Shembje masive për shkak të vjedhjes, rënie të investimeve të bëra dhe 2 vjet më parë. Shqipëria nuk pati një mot të madh, dhe nuk ishte moti i madh fatkeqësia e saj. Fatkeqësia e vërtetë ishte Edi Rama dhe ministrat e tij hajdutë.”

Pjesë nga fjala e Berishës:

“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe, qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë, e cila sillet sot si një organizatë e papërgjegjshme dhe ka lënë Shqipërinë një vend tërësisht të braktisur. Nga jugu në veri, rrugë të bllokuara, jetë të humbura, për shkak të infrastrukturës mesjetare, shembje masive për shkak të vjedhjes së fondeve në skarpate, rrënime të investimeve të bëra dhe dy vjet më parë.
Shqipëria nuk pati një mot të madh dhe nuk ishte moti i madh, fatkeqësia e saj. Fatkeqësia e vërtetë e Shqipërisë në këtë mot ishte Edi Rama dhe ministrat e tij hajdutë dhe të papërgjegjshëm për detyrën që kryejnë. U zhdukën, përveç Facebook-ut të Edi Ramës, nuk ka funksionuar asgjë”.