Shqiptarët vijojnë të trajtohen si një problem i madh në Britaninë e Madhe, teksa së fundmi shqetësim nuk është vetëm hyrja e tyre ilegalisht në vend.

“The Mail” i ka kushtuar një artikull shtetasve që jetojnë tashmë në Angli, duke ngritur shqetësim për numrin e madh të shqiptarëve që ndodhen në burg. Duke risjellë në vëmendje dënimin e Fatmir Limanit me 18 muaj burg për një vjedhje të kryer në një shtëpi në Leeds, artikulli thekson fjalët e gjykatsit Simone Batiste.

Ky i fundit iu drejtua shqiptarit se Britania ka mjaftueshëm kriminelë dhe nuk i duhen dhe shqiptarët që hyjnë ilegalisht me gomone.

“Mjerisht, Mbretëria e Bashkuar ka shumë kriminelë tanët. Nuk kemi nevojë t’i sjellim nga Shqipëria.”- ishin fjalët e gjykatsit.

Kjo vjen pasi shifrat e marra nga The Mail të dielën tregojnë se 75 për qind e shtetasve shqiptarë që kanë mbërritur ilegalisht kanë kryer të paktën një vepër penale në MB. Dhe 30 për qind e tregtisë së drogës të klasit A të Britanisë tani kontrollohet nga krerët e bandave shqiptare.

Shqiptarët, shumë prej të cilëve mbërritën ilegalisht në Britani me kamionë dhe gomone, janë tani kontingjenti më i madh i të burgosurve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, me 1,582 të mbyllur.

Këtë vit deri më tani, 93 shqiptarë janë burgosur, me një kosto për taksapaguesit prej 17 milionë paundësh – për vepra të rënda si vrasja, përdhunimi, rrëmbimi dhe vjedhjet, përfshirë 14 në javën e kaluar.

Ata përfshijnë gjashtë vrasës, një përdhunues, një rrëmbyes, pesë tregtarë droge të klasës A dhe 56 kultivues kanabis.

Nga 93 të burgosurit, të paktën 53 mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht, ose me varka të vogla ose në pjesën e pasme të kamionëve.

Shqiptarët përbënin përqindjen më të madhe të më shumë se 45,000 njerëzve që kaluan Kanalin ilegalisht vitin e kaluar.

Në një fazë verën e kaluar, ata përfaqësonin 60 përqind të të ardhurve me varka të vogla. Mijëra kërkuan azil, edhe pse Shqipëria konsiderohet ‘e sigurt dhe mikpritëse’ nga Ministria e Jashtme.

Të dhënat nuk përfshijnë ata që nuk u burgosën, ose që u paraqitën në gjykatat e magjistraturës, gjë që do ta bënte shumë më të lartë totalin.