Luis Gaxhi dhe Rigers Spahiu kanë marrë masën “arrest me burg” nga Gjykata e Elbasanit. Rigersi është vëllai i Arjan Spahiut, i ekzekutuar në Belgjikë, ndërsa Gaxhi mik i ngushtë i tij.

Sipas policisë, Gaxhi akuzohet për armëmbajtje pa leje, pas zbulimit të një baze armatimi, ndërsa Spahiu dyshohet për përkrahje të Gaxhit dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, pasi në momentin e arrestimit ai fshiu të gjitha të dhënat në celularin e tij dhe e fiku atë.

Gaxhi kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur nga Belgjika ku kishte vuajtur një dënim për drogë. Policia ra në gjurmët e tij dhe të Rigers Spahiut, pas arrestimit të Xhaferr Deliut. Ky i fundit duhet të ishte në arrest shtëpie për dhunë në familje dhe në momentin kur policia shkoi në banesën e tij për verifikim konstatoi se kishte thyer urdhrin e gjykatës. Deliu u arrestua jashtë banesës dhe për shkak të flagrancës policia ushtroi kontroll në shtëpinë e tij ku zbuloi një sasi prej 5 kg e gjysmë heroinë.

Hetuesit sekuestruan telefonin e tij dhe e këqyrën atë më shpresën për të zbuluar personat që mund të blinin lëndë narkotike prej tij. Mes të tjerash, në celular u gjetën fotot e dy biznesmenëve të Elton Kilës (Otit) dhe Abedin Mamës i njohur me nofkën “Dine Çami”.

Të dy personazhet ishin të njohur për policinë, pasi sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë, ai kishte marrë porosi për të vrarë Elton Kilën, ndërsa Dine Çamin ai e akuzon për përfshirje në disa krime të rënda. Mbi bazën e dëshmisë së Dumanit, Dine Çami është në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.

Xhafer Deliu nuk ka dhënë shpjegime të qarta për fotot, por policia duke dyshuar se mund të ishte përpara një grupi vrasësish me pagesë gjurmoi të gjitha lidhjet e të arrestuarit. Pas shumë përgjimesh dhe vëzhgimesh dhe provave të siguruara nga celulari i Deliut, u zbulua baza e armatimit e më pas u arrestuan Luis Gaxhi e Rigers Spahiu.

Prokuroria ka dyshime se Elton Kila dhe Dine Çami mund të ishin në shënjestër për t’u vrarë. Kjo sepse të dy janë në konflikt me pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Erjon Alibaj, i cili ndodhet aktualisht në burg për urdhërimin e disa vrasjeve në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait Endrit Alibej, i njohur si Tarzani, xhaxhait të tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit.