Gazetari Roland Qafoku ka reaguar me tone të ashpra në lidhje me sulmin e kryer ndaj Top Channel.

I ftuar në emisionin “Zona Zero” me gazetar Thimi Samarxhi, Qafoku deklaroi se ky është një akt i kryer nga një bandë ekstreme, ndërsa e konsideroi si një sulm të rëndë. Sipas tij, nëse goditet media është goditur Shqipëria. Ai shtoi se nëse policia nuk e zbardh, duhet të shkarkohen personat përgjegjës.

‘Është kryer nga 5-10 autorë që janë si drejtues dhe ekzekutorë, kjo është vepër e një bande ekstreme.  Qëllimi ka qene vetëm frikësimi dhe sulmi ka qenë i mirëmenduar prej ditësh. Dallohet nga dinamika e ngjarjes. Jemi sulmuar të gjithë, jo vetëm Top Channel. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë tjetër kur sulmohet një media kombëtare. Nëse kjo ngjarje nuk zbardhet, atëherë ka dështuar shteti.

Unë mendoj që gjithë trupa policore, që nga drejtori Muhamet Rrumbullaku i cili është një nga më profesionistët që ka Shqipëria për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, të angazhohen dhe të marrin kohën për ta zbardhur. Pastaj nëse personat përgjegjës që duhet ta zgjidhin nuk e bëjnë dot, ata duhet të shkarkohen. Ministri Bledi Çuçi kishte rastin kur duhej të përfshihej në polici, ai duhet të vendoste gishtin. Policia duhet të tregojë kush e bëri, pse e bëri. Është shumë e rëndë që ka ndodhur në një media. Kur goditet media, është goditur gjithë shoqëria.”- deklaroi Qafoku.