Avokati Spartak Ngjela ka ngritur alarmin, teksa tha se nëse në vend dështon Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit, rrezikon që të ketë luftë.

I ftuar në emisionin “Breaking”, duke komentuar deklaratën e ambasadores Yuri Kim, e cila ngriti shqetësimin për mundësinë e manipulimit të procesit për zgjedhjen e kreut të SPAK, ai tha se politika e korruptuar po kërkon që të ndërhyjë në këtë proces.

“SPAK ka dështuar kjo dihet. Tani ajo dyshon se mund të ketë manipulime në zgjedhjet e kreut të SPAK. Ata kanë thënë që SPAK-un e drejtojmë ne. Sekretari i shtetit është zotuar që do u heqim shqiptarëve korrupsionin. Dhe këtu korrupsioni po na mbyt. Nuk lejon investimin e huaj. Ka shkatërruar konkurrencën në treg. Ka një efekt domino që na ka krijuar probleme të mëdha. Kraja është i trembur. Duhet ta kishte goditur korrupsionin.  Por duhet të dini se po dështoi SPAK-u, nuk tërhiqet Amerika. Duke parë dështimi ne SPAK, do shkatërrohet Shqipëria, por jo vetëm edhe Kosova. Dhe nga kjo duhet ditur se Ballkani është pika më e nxehtë e konfliktit amerikano-rus.

Sinjalet për këtë kanë shkuar në Rusi. Sepse ky është aksion, kjo është psikologjia e vendeve të pazhvilluara që hynë në demokraci dhe degradojnë në korrupsion.  Nëse dështon SPAK, do ketë zgjidhje ushtarake.  Nuk flitet për kohë, por duhet të matet mirë se po iku ajo, do të jenë të parët që do goditen. Korrupsioni kërkon të ndërhyjë në zgjedhjet e kreut të SPAK. Kur flasim për korrupsion, kemi politikën. Të dyja krahët janë të korruptuar.”- tha Ngjela.