Alda Klosi dhe Rozeta Dobi pritet të ballafaqohen sot në Prokurori, për deklaratat që kanë dhënë të dyja lidhur me shumën e parave të gjetura në banesën e pastrueses. Mësohet se ish-zyrtarja e kryeministrisë dhe pastruesja e saj, Rozeta Dobi, janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Prokurori.

Klosi është lënë në paraburgim nën dyshimet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklarimit të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.

Më herët, ish-zyrtarja  ka vendosur t’i qëndrojë besnike versionit të saj të mëhershëm, se në shtëpinë e saj janë vjedhur 120 mijë euro 30 mijë dollarë dhe disa bizhuteri, ndërsa dyshimet thotë se i kishte të pastruesja Rozeta Dobi.

Burimet thanë se ajo iu tha hetuesve se paratë janë të xhaxhait të saj, përkundër kontradiktave që ka me rrëfimin e të vëllait. Ndërsa, këmbëngul se shuma prej 404 mijë eurosh dhe 8500 dollarë që u zbuluan në tubin e aspirimit në shtëpinë e pastrueses nuk i përket asaj, pasi nuk ka disponuar asnjëherë shuma të tilla.

Por, ndërkohë është pastruesja, e cila rrëfen se paratë janë të ish-zyrtares së lartë dhe se ja la t’i ruante e në bashkëpunim me të inskenuan vjedhjen, me qëllim që Alda Klosi të akuzonte ish-burrin e saj me të cilin kishte përplasje.

Dëshmitë e dy grave janë tërësisht të kundërta ndaj prokuroria ka thelluar hetimet, me qëllim që të mund të provojë se paratë i përkasin ish-drejtoreshës së koncesioneve, si dhe të sqarojë rolin e pastrueses rozeta Dobi të djalit të saj, Havierit.

Nënë e bir vijojnë të mbahen në paraburgim nën dyshimet për akuzën e vjedhjes, ndërsa ish-zyrtarja Klosi pritet të përballet të hënën me gjykatën e Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm, ku synon një masë më te lehtë sigurie.