Kokaina e sjell nga Kolumbia në Shqipëri nga Nikolin Gjolena dhe 9 personat e tjerë pasi u zhdoganua në ambientet e doganës para se të dërgohej në Fier ishte mbajtur në Tiranë, pikërisht në zonën e Kombinatit. Por nuk ishte lënë vetëm dhe sigurisht as në mëshirë të fatit, por ishin marrë masa me detaje për ta ruajtur me shumë kujdes.
Detyrën për t’u kujdesur për lëndën narkotike në Kryeqytet në rrugën “Jorgo Panajoti”, e kishte Marildo Rona, i cili gjithashtu kishte siguruar pirunin për lëvizjen e ngarkesës dhe infrastrukturën për finalizimin e ndarjes së lëndës narkotike nga plehu.
Nga përgjimet është zbardhur se Denilson Çervanaku ka komunikuar me Ronën dhe se ky i fundit i ka treguar një vend se ku kokaina do të ruhej e sigurtë dhe e monitoruar nga kamerat në çdo moment, por edhe ai do qëndronte aty për ta ruajtur edhe fizikisht.
Mirëpo Çervenaku duket se nuk ka mjaftuar me aq, por ka dashur që të jetë edhe vetë aty, ndaj i kërkon bashkëpunëtorit të tij t’i gjejë një hotel pranë Kombinat, ku do prisnin mbërritjen e mikut të tyre për ekstraktimin e lëndës narkotike.
Pas mbërritjes së shtetasit Samir Rodrigues lënda është dërguar në Frakull ku u vendos në banesën e Viktor Çervanakut, megjithëse siç rezulton nga përgjimet, Rodrigues edhe pse ka shkuar për të parë sasinë, nuk ka nisur nga puna dhe kjo gjë nuk është pritur mirë nga anëtarët e grupit. Grupi ishte në pritje edhe të një tjetër shtetasi nga Kolumbia, i cili nuk është futur kurrë në Shqipëri dhe ka qëndruar në Malin e Zi, aty ku vijon një hetim paralel për të njëjtin rast trafiku.
Lajmi për drogën u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij.
Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri. Deri më tani janë arrestuar: Zenel Cervanaku, i cili akuzohet se është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.