Dalin pamjet e operacionit antidrogë “Flakë në det” në ujërat shqiptare e ndërkombëtare, ku u godit një grup kriminal i trafikut të drogës me bazë në Fushë-Kuqe, Kurbin.

Në operacion u përfshinë efektivë dhe mjete të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Reparti Special “RENEA”. Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, është koordinuar dhe mbështetur nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.

Operacioni filloi pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen me shpejtësi të një mjeti lundrues, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin.

Ky mjet lundrues është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

“Pamje nga megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Flakë në det”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit, me mbështetje nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.

Ky operacion goditi një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike me mjete lundruese.

6 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale u vunë në pranga.
23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa u sekuestruan nga Policia, bashkë me 2 armë zjarri, municion luftarak, 1 automjet, shuma parash, 1 mjet lundrues tip gomone, bashkë me GPS-in, si dhe 4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike”, njofton Policia e Shtetit.