Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, në protestën e sotme.

Në një konferencë për mediat, Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si organizator të këtij sulmi, ndërsa paralajmëron se shumë shpejt, Rama do detyrohet të nxjerrë edhe kartelën e tij që e mban të fshehur për të lehtësuar situatën e tij përballë atyre që ka bërë.

“Shumë shpejt Rama do detyrohet të nxjerrë edhe kartelën e tij që e mban të fshehur për të lehtësuar situatën e tij përballë atyre që ka bërë. Në rastin konkret, duke qenë se isha në atë moment, mund të them që kemi të bëjmë me një aksion të mirëplanifikuar, aksion të mirëorganizuar shtetëror e policor, person kontingjent i policisë, siç e tregoi edhe Berisha, i kamufluar si pjesë e ekipit mediatik që shoqëronte protestën, e që në një moment të caktuar bëri të gjitha veprimet në mënyrë profesionale e me një gjakftohtësi profesionale.

Aksion i Ramës dhe policisë së tij. Rama i pabesë e burracak, ka shkelur çdo kod moral që ka rregulluar në shekuj bashkëjetesën. Nuk mund të justifikohet me asnjë kartelë që i ruan t’i përdorë në të ardhmen për të lehtësuar gjendjen e tij”, tha Meta.