Pesë shtetas përfunduan të plagosur dhe grua u vra aksidentalisht nga një atentat i kryer nga dy persona, që hapën zjarr me armë automatike në lokalin e Fatjon Muratit në “Don Bosko”. Raportimet e fundit janë se në atentati ka qenë i mirëorganizuar dhe në këtë ndërmarrje kanë marrë pjesë më shumë se dy persona.

Përveç dy atentatorëve, një tjetër ka mbajtur rolin e vëzhguesit. Ndërkohë, është gjetur e djegur tërësisht edhe makina me të cilën është kryer atentati. Ajo ndodhet në një kryqëzim, që të çon në Likmetë dhe të nxjerr në rrugën kryesore Fushë Krujë-Milot.

Në makinë janë gjetur dy armë zjarri tip kallashnikov, që janë përdorur nga atentatorët. Hetuesit dhe ekspertët e kriminologjisë kanë mbërritur në vendngjarje me shpresën se do të gjejnë prova që të dërgojnë te atentatorët.

Dyshohet se shënjestra ka qenë Fatjon Murati, një njeri i njohur në botën e krimit. Ai është nën masën e arrestit të shtëpisë, por kur policia ka shkuar për ta marrë në pyetje disa ditë më parë, ai nuk ka qenë në banesën e tij. Lokali ku ndodhi ngjarja është pronë e Muratit, por ishte nën sekuestro.