TIRANË – Vetëm pak orë pasi në një intervistë ekskluzive në Top Channel, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim deklaroi se SHBA-të do të ndërpresin marrëdhëniet me Partinë Demokratike, nëse kryesimin e saj e merr Sali Berisha, ky i fundit deklaroi se do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë.

I pyetur nga gazetarët për ultimatumin e diplomates amerikane, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se “Foltorja” e tij ka gjetur mbështetje në BE dhe SHBA.

I shpallur “non grata” nga sekretari i Shtetit, Blinken, Berisha tha se në SHBA ka mbështetjen e republikanëve.

 “Foltorja” ka zgjuar shpresa të mëdha në mbarë botën. Dua t’u informoj se kjo pritje që shihni në Shqipëri për “Foltoren” nuk është më pak entuziaste në vendet mike. Ka entuziazëm në vendet mike. Nuk janë më të pakta përgëzimet që marr nga përfaqësues të vendeve mike në Evropë, por edhe nga elitat e krahut republikan në SHBA”, tha Berisha.

Ish-kryeministri pati edhe një mesazh për ambasadoren Yuri Kim, të cilës i tha se “mund të pijë kafe në livadhet e qeverisë”.

“Zonjës ambasadore dhe cilitdo tjetër, që ka një provë fakt të vetëm e ftoj t’i dërgojë pranë gjykatës në Paris. Shpreh mirënjohjen se miq, përfaqësues të vendeve mike, personalitete të shquara të elitës amerikane nuk pajtohen, nuk pranojnë, nuk binden, majde e marrin thjesht si një hakmarrje politike deklaratën se kemi prova por nuk i themi. Ke prova, çoi para gjykatës.

Miq të shquar më kanë deklaruar se kanë parë dosjen. Çështja e kafes, ajo të vazhdojë të pijë kafe në livadhet e qeverisë. Unë do ta afroj Shqipërinë me BE dhe SHBA“, tha Berisha.

Më herët, ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi se nuk mund ta imagjinojë një skenar ku ajo apo ndonjë nga pasardhësit e saj, të pretendojnë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojnë për kafe me dikë që është shpallur “non grata” nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi ajo për Top Channel./Gazeta SHQIP