Itali- Adriatik Llala, i dënuar me vendim të formës së prerë nga GJKKO, jeton në Itali dhe prej disa ditësh ka kërkuar azil politik në Itali. Report Tv ka publikuar pamje nga ndërtesa ku ai jeton në një lagje në kryeqytetin italian në Romë.
Ish-Prokurori ka shkuar dhe është paraqitur tek autoritetet italiane më 12 dhjetor për të kërkuar azil politik. Të njëjtat autoritete kanë bërë një verifikim të identitetit të tij dhe më pas i kanë komunikuar masën e arrestit, pasi Llalla është në kërkim ndërkombëtar sipas një urdhër të SPAK.
Kush është Adriatik Llalla?
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Akuzat u rrudhën në 2021, ku SPAK njoftoi më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën do të vuaj dy vite burg.