Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas thirrjes së presidentit Ilir Meta për të ndalur ndërtimin e HEC-eve në Lumin Vjosa dhe për ta shpallur Park Kombëtar.
Rama thotë se është dakord me presidentin se e “ardhmja nuk është shkatërrimi”, por i kujton Metës se lejoi shkatërrimin e Valbonës ku ishte zv. shef i qeverisë së Saliut.
Kryeministri thotë se nuk do ketë HEC-e në Vjosë.
“Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!
Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”, shkruan Rama.
Çfarë deklaroi Meta dje
“Lumi Vjosa është një pasuri natyrore për vendin. Ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë dhe hapësirat jo miqësore dhe armiqësore në zonat e gjelbrta, s’mund të jetë në rrugë e blertë për zhvillimin e vendit. Shkencëtarët këmbëngulin se HEC-et shkaktojnë dëme në sipërfaqet e ujërave, deri në ashpërsimin e klimës deri në ngrohjen globale. Shqetësim bën dhe cilësia e hartimit të raporteve për ndikimin në mjedis të HEC-eve. Ato shpesh përgatiten në tavolinë në mënyrë të shpejtë dhe shpesh miratohen ato që do qeveria dhe koncesionari. Këto ditë jam vënë në dijeni për një letër të hapur nga komuniteti europian për një shqetësim për HEC-et.
Çuditërisht këto kambana nuk dëgjohen. Shteti shqiptar duhet të ruajë vlerat e natyrës dhe të shëndetit të njeriut. Do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen e saj Park Kombëtar. Çdo qëndrim kokëfortë s’do i shërbente të ardhmes së vendit dhe rrugës drejt BE-së. Çdo shqiptar duhet të shkojë në lumin Valbonë, që është për të vënë duart në kokë me atë çka është bërë.”, tha Meta.