Gjykata e Korçës ka vendosur ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për Martina Pajollarin, e cila akuzohet se ka qenë e implikuar në vrasjen e të riut Martin Çeços.
Pajollari u arrestua ditën e shtunë nga policia e Korçës, 4 muaj pas vrasjes së Martin Çeços, 26-vjeçarit me të cilin ishte në një lidhje në fshatin Kolanec të Maliqit. Ajo dyshohet se është bashkëpunëtore në këtë ngjarje.
Nga deklaratat e saj në polici ajo në një moment ka pranuar që ndodhej në vendngjarje në momentin kur është kryer krimi. Për këtë çështje tre shtetas janë vënë pas hekurave më parë, Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Blenti Angjo të cilët e mbytën 26-vjeçarin me litar, dhe më pas e hodhën në rezervuar që të dukej si vetëvrasje.
Nga hetimet prokuroria ka krijuar dyshime të forta se Pajollari e ka nxjerrë në pritë 26-vjeçarin, natën kur u ekzekutua disa kilometra pranë fshatit.