
Një operacion i policisë i koordinuar me përpikmëri në 10 shtete ka shkatërruar një prej bandave më të mëdha të krimit të organizuar. Sipas mediave të huaja, grupi që drejtohej nga shqiptarët trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë, ndërsa janë vënë në pranga 20 persona.
Duke ju referuar Europol, mediat e huaja shtojnë se banda e njohur si “Kompania Bello”, ishte një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Evropë.
Europol organizoi koordinimin e qindra oficerëve që çuan në arrestimet, pas hetimeve 5-vjeçare të drejtuara nga Italia. 5 persona u arrestuan në Shqipëri, 5 në Itali, 2 në Holandë, 2 në Gjermani, 2 në Greqi, 1 në Rumani, 1 në Hungari, 1 në Spanjë dhe 1 në Dubai. Rreth 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milion € në para janë kapur gjatë këtij hetimi.
Këto arrestime pasojnë 84 arrestimet e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani. Europol bën me dije se janë sekuestruar 4 ton kokainë dhe mbi 5,5 milionë euro.
Për vite, thotë Europol, importuesit ndërkombëtar të kokainës kanë punuar veçmas tregtarëve me shumicë dhe shpërndarësve të vegjël në rrugët e qyteteve. Por në këtë rast, rrjeti shqipfolës nën hetim e ka braktisur tërësisht këtë model dhe kontrollonte të gjithë zinxhirin, nga organizimi i ngarkesave të mëdha drejtpërdrejtë nga Amerika e Jugut, deri te shpërndarja në të gjithë Europën.
Duke përdorur një sistem të sofistikuar komunikimi të koduar, kreu i grupit, një shqiptar 40-vjeçar me bazë në Ekuador, negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizonte dërgesat e mëdha me kokainë drejt porteve kryesore të Europës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizonte shpërndarjen në Europë. Kokaina trafikohej, thotë Europol, përtej kufijve europianë e fshehur në mjete me hapësira të fshehta të sofistikuara.
Kriminelët pastronin paratë e fituara nga aktiviteti kriminal, thotë Europol, përmes një sistemi me origjinë kineze, të njohur “fei ch’ien”, sipas të cilit një person bën depozitën e parave në emër të një rrjeti “agjencish” në një vend. Më pas, një tjetër bashkëpunëtor tërheq shumën në një shtet tjetër të botës dhe ia kalon përfituesit. Rrjeti besohet se ka pastruar miliona euro nga aktiviteti kriminal përmes këtij sistemi.