Një aksident me pasoja të rënda mësohet të ketë ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë. Në afërsi të zonës së Kthesës së Kamzës është aksidentuar një mjet dhe ka pësuar dëmtime të mëdha.

Policia dhe ekipi i mjekëve kanë mbërritur në vendngjarje dhe i është dashur një kohë e konsiderueshme për të nxjerrë shoferin dhe pasagjerët, pasi automjeti është përmbysur dhe ka pësuar shtrembërime të mëdha. Të dhënat e para janë se në makinë kanë qenë tre djem.

Dyshohet se nga shpejtësia e madhe, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me rrethimin metalik dhe me murin e betonit.

Tre personat që kanë qenë në mjet kanë pësuar dëmtime të rënda dhe janë nxjerrë nga policia dhe ekipet e shpëtimit thuajse një orë më pas, për shkak se pozicioni i përmbysur dhe deformimi i makinës u ka krijuar vështirësi.

Dyshohet se një prej të përfshirëve në aksident ka humbur jetën. Gjithsesi, do të duhet të presim njoftimin zyrtar të policisë për të konfirmuar gjithçka mbi pasojat fatale të këtij aksidenti.