Kryeministri Edi Rama ka folur sërish ditën e sotme në lidhje me akuzat e ngritura ndaj deputetes Monika Kryemadhi për lidhjet me kompanitë of-shore në Rusi.

Gjatë një takimi me kreun e Bankës Botërore në Shqipëri, Rama deklaroi se  drejtësia e re duhet t’i japë një përgjigje, pasi sipas tij kjo çështje është urgjencë kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Edhe pse është një pyetje që është e ditës për opinionin publik dhe e vërteta e hidhur është që po këto rublat paskan qenë shejtan i madh, na kanë marrë shokë e shoqe në qafë, por përtej asaj që mund të komentojmë, Banka Botërore nuk hyn këtu, por drejtësia e re duhet t’i japë një përgjigje se është urgjencë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ne jemi vend i NATO-s dhe kjo përzierje, jo me konto, jo me ofshore, me lidhje që çojnë para në drejtim të partive që duan të sjellin lirinë, është një problem i madh, drejtësia e re duhet ta adresojë me urgjencë.

Me rëndësi janë edhe arkat me peshk, edhe ato nuk duhet marrë dhe duhen dënuar, por kjo nuk është më punë peshqish por peshkaqenësh që kanë hyrë në territorin e vendimmarrjes dhe që kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve duke paraqitur kandidatë dhe kandidate peshkaqenë, drejtësia duhet të merret me këtë punë.”- tha Rama.