Rreth 150 punonjëse të një fasonerie në qytetin e Bilishtit kanë protestuar ditën e sotme duke refuzuar të hyjnë ne ambientin e punës për shkak se kompania ka njoftuar largimin nga puna  të kryetares së Sindikatës të pavarur të kësaj fasonerie. 

Sipas punonjëseve Mirjeta Mulla përfaqësuese e sindikatës ka kërkuar të drejtat e tyre çka është bërë shkak për këtë vendim. Kjo fasoneri një vit më parë u përball me të njëjtin reagim të punonjëseve për shkak se një pjesë e tyre nuk janë të siguruara, nuk u njihen raportet, u është përgjysmuar paga si dhe kushtet e punës nuk janë aspak të përshtatshme duke u rrezikuar atyre shëndetin.

Edhe kryetarja e sindikatës së kësaj fasonerie, Mirjeta Mulla ka pranuar se pushimi i saj ka ardhur për shkak të kërkesave të vazhdueshme që ka bërë në  mbrojtje të punonjëseve. Sipas saj, nga takimi i një viti më parë me ministren e linjës dhe deri tani, pak gjëra kanë ndryshuar në kushtet financiare dhe kushtet e punës.

Nga ana tjetër, pronari i kësaj fasonerie Fatjon Shega thotë se largimi i saj nga puna vjen si pasojë e ristrukturimit duke respektuar kodin e punës.

Kjo është hera e dytë gjate një viti që punonjëset e kësaj fasonerie protestojnë për të njëjtat probleme pa mundur të gjejnë zgjidhje.