Seanca e sotme parlamentare nuk ka kaluar pa debate mes deputetëve të opozitës dhe të maxhorancës. Pas fjalës së deputetit të PS, Taulant Balla dhe deklaratave të këtij të fundit për Sali Berishën, ka reaguar deputeti Flamur Noka.

Noka kërkoi përjashtimin nga seanca parlamentare të deputetit të PS, Taulant Ballës, pas deklaratave të bëra në drejtim të Sali Berishës. Deputeti i kërkoi kryeparlamentares Lindita Nikolla që të marrë masa për gjuhën e përdorur nga deputeti Balla.

“Ju jeni edhe deputete e Kuvendit, jeni edhe një zonjë, jeni edhe një nënë, tashmë jeni bërë edhe gjyshe, nuk besoj që jeni shurdh. Të paktën kështu kam informacion.

Fjala e përdorur nga parafolësi është një zhargon i vulgut ordiner të rrugës, nuk është fjalë që mund të përdoret në këtë kuvend. Ndërhyni dhe merrni masa.

Kërkoj të përjashtohet urgjentisht si halabak ordiner parafolësi. Gjuha e rrugës nuk mund të jetë gjuhë që të prevalojë këtu në Parlament”, tha Noka.