Ngjarja e rëndë ndodhi disa ditë më parë në Tempe, pranë Larisës. Si pasojë e përplasjes së trenit të udhëtarëve me atë të mallrave humbën jetën 57 persona, mes të cilëve edhe 6 shqiptarë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka dërguar mesazh ngushëllues për familjet e 6 shqiptarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike! Në këtë ditë zije një lutje e veçantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident”, shkruan Xhaçka në Facebook.

Flamuri shqiptar është ulur sot në gjysmë shtizë në nderim të viktimave që humbën jetën në përplasjen e trenave në Greqi.
Kryeministri Rama njoftoi më herët se e diela do të shpallej ditë zie kombëtare.

Tragjedia ndodhi natën e 28 shkurtit, në Tempe, kur treni i pasagjerëve me 350 persona në bord u përplas me atë të mallrave.