Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga përplasjet mes bandave shqiptare fundjavën e kaluar në Greqi, ku mbetën të vdekur 3 persona dhe tre të tjerë u plagosën, dy prej të cilëve efektivë policie.

Sipas mediave greke, përleshjet me armë zjarri në Kato Patisia dhe Agioi Anargyrou, që kishin protagonistë kriminelë shqiptarë fshehin pas tyre trafikun e kokainës dhe larja e hesapeve përmes vrasjeve me pagesë.

Dy ngjarjet e përgjakshme ku mbetën të vrarë Andon Dhimitraq Tefi dhe Armando Lamaj, 48 dhe 46 vjeç, ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Të dy viktimat ishin arrestuar në muajin maj për trafik droge.

Në një analizë të gjatë, mediat greke shkruajnë se pas këtyre përplasjeve qëndron trafiku i kokainës që vjen nga kartelet e Amerikës Latine.  46-vjeçari që ra i vdekur nga plumbat e bashkatdhetarit të tij 48-vjeçar (gjithashtu bashkëpunëtor i tij në të paktën një rast trafiku droge) nuk ishte një person i rëndomtë i mafias shqiptare.

Ai ishte arrestuar shtatë herë në Greqi dhe sipas mediave helene kjo tregon gamën e aktiviteteve të shumta që kishte zhvilluar. Fakti që ai shkoi në takim me të paktën tre persona të tjerë si grup mbështetës (përfshirë djalin e tij 23-vjeçar, i cili gjithashtu mbeti i vrarë si pasojë e asaj që ndodhi në Patisia) do të thotë se ai ishte kapoja. Ndërkaq vetë policia greke ka ngritur alarmin se në periudhën e fundit janë shtuar ekzekutimet e personave që në një mënyrë apo tjetër janë të përfshirë në mafian shqiptare.

Vitet e fundit në Greqi kanë ndodhur një sërë vrasjesh të anëtarëve të mafias shqiptare, ku ekzekutimet kryhen kryesisht me pagesë dhe larje hesapesh. Një e tillë ishte edhe ajo e 16 nëntorit 2021 ku u qëllua një 37-vjeçar pronar të një karburanti në Thivon Avenue, i cili më parë ishte dënuar për trafik kokaine rreth 12 vite më parë. Po vitin e fundit u ekzekutua sërish një 32-vjeçar shqiptar në një kafene në Sepolia si dhe një bashkatdhetar i tij, 39-vjeç.  Sipas mediave greke, oficerët e policisë prej vitesh ndjekin aktivitetet e mafias shqiptare.

Sipas tyre, mafia shqiptare po lan hesapet mes anëtarëve të saj, si pasojë e prishjes së pazareve të drogës ku përveç kanabisit tradicional, tashmë tregtia përfshin edhe kokainën që sillet nga Amerika Latine. Policia greke bën të ditur se në Greqi janë rreth 10-15 persona që nuk e kanë problem të kryejnë vrasje me pagesë. Sipas policisë, kjo ka ndodhur në periudhat 2007-2009, 2014-2017 dhe është rikthyer sërish dy vitet e fundit.